Qyteti i Elbasanit dhe Fierit do të vazhdojnë të mbeten gjatë pa sistemin e ri të adresave.
Drejtuesit e pushtetit lokal sqarojnë se vonesat kanë ardhur vetëm prej pengesave të krijuara nga qeveria.
Kështu, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Serafin Papa, është shprehur se ende nuk është zhvilluar tenderi për adresimin e ri të qytetit, madje nuk dihet as afati se kur do të nisë ky projekt.
“Ne kemi përfunduar emërtimin e rrugëve dhe rrugicave, numërimin e të gjitha banesave, shtëpive, pallateve, bizneseve dhe tani thjesht jemi në pritje të finalizimit të këtij projekti, i cili është shumë i vlefshëm për qytetarët, pasi u shërben atyre për njoftime të çdo natyre, që nga faturat për shërbime të ndryshme, letrat e korrespodencës komunitare dhe mbi të gjitha edhe në zhvillimin e proceseve zgjedhore të niveleve të ndryshme”, ka shtuar nënkryetari i bashkisë.
Sipas tij, nuk ka munguar interesimi në ministri, por nuk është dhënë deri tani asnjë përgjigje pozitive.
Ndërkohë, në Fier drejtuesit e pushtetit lokal deklarojnë se projekti i sistemit të adresave ka përfunduar shumë kohë më parë, por me ndryshimet që janë bërë në ligj duhet riparë nga fillimi.
Burime nga departamenti i strategjisë së zhvillimit konfirmojnë se “projekti i bashkisë nuk përputhet me ligjin aktual. Ligji ka ndryshuar pak muaj më parë dhe e nxjerr projektin tashmë të përfunduar si të pakompletuar”.
Kështu që stafit që realizoi fazën e parë i duhet të përballet me një rikthim të volumit të punës që kreu.
E ndërsa ka nisur procesi i ndryshimeve të kërkuara me ligjin e ri, kryetari i bashkisë tregon se pritet edhe një ratifikim i projektit të Co-Planit me qeverinë.
Afati i fundit për përfundimin e procesit të sistemit të adresave është për disa komuna dhe bashki muaji shtator dhe për disa njësi vendore të tjera muaji dhjetor po i këtij viti.
Top Channel