Rasmussen: Gjendja në Kosovë, e brishtë

29/04/2010 11:30

Shefi i diplomacisë Ilir Meta deklaron se Shqipëria pas anëtarësimit në Aleancën e NATO-s ka përmbushur detyrimet e saj.

Në një konferencë të përbashkët me shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, Meta premtoi bashkëpunim në mënyrë të ngushtë dhe kontruktive për të gjitha cështjet e rëndësishme, sidomos për ato që kanë të bëjnë me reformimin e mëtejshëm të aleancës.

Meta theksoi edhe vlerësimin për kontributin dhe rolin e KFOR-it në Kosovë, dhe shtoi se reduktimi i trupave do të vijojë në përputhje me forcimin e kapaciteteve vendase për të garantuar parametra të larta të sigurisë.

Ministri i Jashtëm njoftoi se në takimin me Rasmussen është diskutuar për situatën në Afganistan, dhe bëri me dije se Shqipëria do të dërgojë 88 trupa më shumë atje, do të angazhohet për ndërtimin e 8 shkollave si dhe do të ofrojë 100 bursa studimi.

Pikërisht për këtë cështje foli në fillim të fjalës së tij edhe sekretari Rasmussen, i cili vlerësoi kontributin e shtetit shqiptar në Afganistan.

Rasmussen vlerësoi edhe politikën konstruktive shqiptare në rajon, duke u fokusuar kryesisht në situatën në Kosovë.

“Ne kemi parë një përparim të qartë në Kosovë nga pikëpamja e sigurisë dhe Kosova përbën një shembull suksesi, por gjendja atje mbetet e brishtë”, u shpreh Rasmussen.

Sipas tij, përmirësimi i situatës në Kosovë do të mundësojë pakësimin e trupave të KFOR dhe siguroi se reduktimi i trupave do të ndodhë vetëm pas përfundimit të një analize të hollësishme nga pikëpamje politike dhe ushtarake.

“Ne nuk do të marrim asnjë hap që do të kishte ndikim në gjendjen e sigurisë në Kosovë”, u shpreh Rasmussen, duke theksuar ndër të tjera se gjendja e sigurisë në Ballkan përbën një sukses

Po ashtu sekretari i NATO-s shprehu optimizëm në anëtarësimin e plotë të rajonit në Aleancë dhe inkurajoi vendet që të kryejnë reformat.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA