Paratë e qeverisë shtuan importet gjatë marsit

29/04/2010 08:40

Shqipëria importoi 273 milionë euro mallra gjatë muajit mars, me rritje 6.7 për qind në krahasim me një vit më parë, por rritja e importeve vlerësohet se erdhi si pasojë e shpenzimeve të qeverisë për pjesën e mbetur të rrugës Durrës-Kukës.

Statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se për tremujorin e parë, Shqipëria importoi 719 milionë euro mallra, me rënie vetë, 2.3 për qind në krahasim me një vit më parë.

Ministria e Financave vuri në dukje se gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, qeveria shpenzoi 5 miliardë lekë (rreth 36 milionë euro) për tunelin e Thirrës.

Investimet në rrugën Rrëshen-Kalimash kanë sjellë vazhdimisht importe të larta gjatë viteve të fundit për shkak se shumica dërrmuese e lëndëve të para për këtë projekt vijnë nga jashtë.

Importet kanë shënuar rënie të vazhdueshme gjatë muajve të fundit si pasojë e ftohjes së ekonomisë pas flluskës së krijuar me investimin në rrugën Durrës-Kukës.

Sasia e mallrave të importuara përcakton edhe ecurinë e konsumit të brendshëm, si dhe të të ardhurave të qeverisë. Por rritja e importeve gjatë marsit duket se nuk e ndihmoi dot qeverinë të mbyllë vrimat në buxhet.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat e buxhetit të shtetit për tremujorin e parë qenë 72.6 miliardë lekë, nga 72.2 miliardë lekë që patën qenë një vit më parë, me rritje nominale zero.

Në terma realë, të ardhurat e buxhetit janë më të ulëta se një vit më parë, pasi gjatë këtyre 12 muajve ka pasur zhvlerësim të lekut me 12 për qind dhe rritje të indeksit të çmimeve të konsumit zyrtarisht me 4 për qind.

Në një vit normal, të ardhurat e qeverisë rriten nga rritja ekonomike, rritja e çmimeve, ndryshimet në kursin e këmbimit, si dhe nga rritja e taksave.

Të gjithë këta faktorë të kombinuar mund të sillnin rritje dyshifrore në të ardhurat e buxhetit, por në fakt ka ndodhur e kundërta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA