Fier, probleme me rrjetin e shpërndarjes

29/04/2010 10:00

Dy lagje të qytetit të Fierit, prej një jave nuk furnizohen me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti në rrjetin shpërndarës, ndërkohë që prej javësh kontraktorët e ujësjellësit akuzojnë për abuzime me faturat e konsumit.

Kulmi i abuzimit me faturat është shënuar në fshatrat Povelç dhe Darëzezë, ku banorët pretendojnë se faturat e këtij muaji u kanë ardhur tri herë më të shtrenjta se më parë.

Ndërkohë, banorët e lagjeve “1 Maj fushë”, “1 Maj kodër” dhe “Apollonia”, kanë një javë që nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Banorët ankohen se po detyrohen ta blejnë ujin për të përballuar nevojat e përditshme.

“Kemi rreth një javë pa ujë. Nuk e dimë se si do ta shtymë këtë situatë. Duan edhe pagesën e faturave ata të ujësjellësit”, ka thënë Isuf Faria, një banor i zonës.

Një pjesë e banorëve u janë drejtuar puseve që kanë shpuar një kategori e vogël shtëpish.

Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm, sipas banorëve, vjen si rrjedhojë e mosndërhyrjes së punonjësve të ujësjellësit.

Ata thonë se kanë ditë që e kanë njoftuar drejtorinë e ndërmarrjes, por askush nuk ka reaguar.

Banorët thonë se nuk do të paguajnë asnjë nga faturat e konsumit, ndërsa kërcënojnë me protesta.

Problemet me furnizimin e ujit të pijshëm i pranojnë edhe drejtues të ndërmarrjes së ujësjellësit.

Drejtori Agim Plepi deklaron se problemet kanë ardhur nga çarja e një tubacioni kryesor të rrjetit shpërndarës.

Drejtori Plepi siguron gjithashtu se defekti do të riparohet shumë shpejt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA