Europa Ligë, finalja A.Madrid-Fulhem

29/04/2010 23:50

Atletiko Madrid-Fulham është çifti finalist i kupës Europa Ligë.

Fulhami pasi barazoi 0-0 në Hamburg, ka arritur të fitojë 2-1 në fushën e tij duke arritur për herë të parë në histori në finalen e një aktiviteti europian.

45 minutat e pjesës së parë kanë folur për skuadrën gjermane e cila kalon në avantazh në minutën e 22 me një supergol të Panteliç nga një goditje dënimi rreth 40 metra larg portës.

Në avantazh e kanë mbyllur fraksionin e parë të këtij takimi skuadra gjermane, por gjithcka përmbyset në të dytën. Devis barazon në minutën e 70-të për Fulhemin dhe pak minuta më vonë ka qenë Gera që përfiton nga një rrëmujë në zonë për të shënuar golin e dytë që vlen sa finalja për skuadrën angleze e cila kualifikohet pasi ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar në barazimin e bardhë 0-0.

Ndërkohë ndeshja tjetër mes Liverpulit dhe Atletikos së Madridit përfundoi pas 120 minutash lojë pasi koha e rregullt edhe në ndeshjen e zhvilluar në Angli përfundoi me rezultatin 1-0 ashtu si ndeshja e parë duke çuar të dyja skuadrat në kohën suplementare.

Akuilani shënoi golin e vetëm të kohës së rregullt në minutën e 44-t, ndërkohë që në pjesën e dytë rrjetat mbetën të paprekura.

Me fillimin e pjesës së parë të kohës shtesë, izraeliti Josi Benajun shënon golin e dytë për Liverpulin duke i dhënë për pak minuta kualifikimin skuadrës së Benitez, por brenda kësaj pjese, Diego Forlan shënon golin e vetëm për Atletikon e Madridit që rezultoi një gol nokauti për britanikët që konfirmojnë një sezon të dështuar në të gjitha veprimtaritë.

Ndeshja finale e kupës Europa Ligë do të zhvillohet në Hamburg të Gjermanisë më 12 maj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA