
Zëvendëskryeministri Ilir Meta argumentoi në Parlamentin Europian zhvillimet politike, ekonomike e sciale në vend.
Në fokus ishte kriza politike, ku Ilir Meta përsëriti ofertat e qeverisë dhe sjelljen e opozitës për vijimin e protestave.
“Mendoj se ka shumë pjesëza legjislative që duhet të miratoni në kuadër të procesit integrues. Si do t’ia bëni kur opozita nuk është në Parlament?”, ka deklaruar Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin.
Nga ana e tij Meta ka dhënë këtë përgjigje: “Personalisht jam i angazhuar të bëj gjithcka, e mendoj se maxhoranca po ashtu është e angazhuar. Po dhe ata duhet të jenë më konstruktiv dhe nuk duhet të lejojnë që interesat kombëtare të bllokohen për shkak të interesave personale të ndonjërit. Unë nuk e di se c’mund të bëjmë më shumë dhe nëse ne kapërcejmë vendimin e gjykatës, ky do të ishte mesazhi më i keq që do të jepnim për të ardhmen e vendit tonë”.
Por Kristian Vigenin, eurodeputet i PSSDE ka replikuar duke u shprehur se nëse në vend të Metës do të ishte Rama, ai do të kishte paraqitur një realitet tjetër, duke bërë përgjegjëse direkt qeverinë.
“Mund t’ju tregoj se nëse zoti Rama do të ishte këtu në vendin tuaj, ne do të dëgjonim një histori të ndryshme por jo më pak bindëse nga e juaja përsa i takon kësaj situate. Kështu që ne nuk jemi këtu per të ndërhyrë në cështjet tuaja të brendshme, por do të donim të shihnim këtë problem të zgjidhur. Sa here ka konflikte të këtij lloji, kundërshtime të tilla, ne nuk mund të fajësojmë vetem njërën palë”, ka pohuar Vigenin.
Në përgjigjen e tij, Meta ka argumentuar se qeveria është e angazhuar tërësisht në procesin e integrimit, por ka nënvizuar se një pjesë e kontributit në këtë drejtim duhet të jepet edhe nga opozita.
“Për integrimin kush është pala përgjegjëse? Unë nuk dua të gjej këtu armikun. Por vullneti i qeverisë është përshpejtimi i procesit dhe shpresoj se dhe i opozitës po ashtu, pasi Partia Socialiste ka kontribuar gjithashtu shumë në të kaluarën për axhendën e integrimit europian”, ka theksuar Meta.
Por raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikolaos Chountis ka vënë në dukje se situata politike në vend ka hyrë në ngërc dhe përvec kësaj, ka edhe situata të tjera problematike.
“Për momentin gjërat kanë ngecur sepse nuk është vetëm kriza politike. Parlamenti Europian është mbështetës dhe ju keni bërë shumë gjëra, por tani duhet t’i zbatohen sic duhet”, ka nënvizuar ai.
Ndërsa raportuesja për vizat, Tanja Fajon ka kërkuar sqarime se në cilën pikë ndodhet Shqipëria në plotësimin e kritereve për të fituar liberalizimin.
“Për cështjen e vizave doja të dija nëse Shqipëria mund të jetë në gjëndje të zbatojë plotësisht kriteret për integrimin e të riatdhesuarëve në vend, si dhe për krimin e organizuar e korrupsionin. A mund të jepni rezultat konkret sa më afër? Unë shpresoj që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, por gjithcka varet nga ju”, ka vërejtur ajo.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka dhënë garancinë e tij se në këtë drejtim, brenda korrikut qeveria shqiptare do të japë rezultate konkrete.
“Unë mendoj se brenda korrikut ne do të jemi në gjëndje të raportojmë progres specifik për të gjitha cështjet specifike që kanë mbetur”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri shpjegoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë cështje që do të vazhdojnë të ndiqen në një periudhe më afatgjatë, edhe pas procesit të liberalizimit të vizave.
Top Channel