
Komisioneri Europian per Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Shtefan Fyle, i përcolli zëvendëskryeministrit Ilir Meta të njëjtat mesazhe që dy javë më pare iu dhanë delegacionit shqiptar gjatë dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit për marrjen e statusit kandidat.
“Theksova se zgjidhja politike duhet të bëhet në respektim të dy parimeve, transparencës dhe kushtetuetshmërisë. Sërish përsërita se përgjegjësia u takon të gjitha partive të perfshira”, ka deklaruar Fyle.
Ndërsa ministri i Jashtëm Ilir Meta është shprehur se përgjegjësia nuk i takon vetëm qeverisë, pasi integrimi është një cështje me interes kombëtar.
“Kjo është një përgjegjësi e të gjithëve pasi integirmi evropian është një interes kombëtar dhe askush nuk mund t’i shmanget kësaj përgjegjësie”, ka pohuar Meta.
Ndërkohë që Fyle ka nënvizuar se thelbësore është kalimi i krizës, duke qenë se kriteri politik është kyc për integrimin.
“Qendrimi do të shprehet dhe nëse kjo situatë do të jetë kapërcyer, atëherë do të ketë një qëndrim përgjithësisht pozitiv, pasi sic e kam theksuar shpesh herë, kriteret politike të Kopenhagenit do të përbëjnë thelbin e atij opinioni”, ka theksuar Fyle.
Opinioni i Komisionit pritet të publikohet në fund të këtij viti. Vendi rrezikon një përgjigje negative për statusin kandidat nëse kriza politike nuk zgjidhet deri atëherë.
Për cështjen e liberalizimit të vizave, komisioneri Fyle shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë në gjëndje të mbyllë cështjet e mbetura gjatë periudhës që propozimi legjislativ do të shqyrtohet nga Parlamenti dhe Këshilli Europian.
Top Channel