Fullani: Ekonomia ecën ngadalë

28/04/2010 20:45

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se ekonomia vijon të mbetet nën efektet e krizës edhe në muajt e parë të këtij viti, duke reflektuar ecuri të ngadaltë.

“Ecuria e ekonomisë vendase vlerësohet e ngadaltë. Kërkesa për kredi mbetet e ulët, e kushtëzuar nga sjellja e kujdesshme e specialistëve ekonomikë ndaj kërkesës së qytetarëve”, ka deklaruar Fullani.

I pyetur me insistim mbi rreziqet që mund t’i kanosë kriza e thellë greke ekonomisë shqiptare, guvernatori garantoi se sistemi bankar vendas mbetet mëse i sigurtë, por paralajmëroi se Shqipëria mund t’i ndjejë në drejtime të tjera pasojat e krizës helene.

“Pa diskutim. Prezenca e prezantimit realist të ekonomisë së një vendi, në kuadër të emetimit për herë të parë të një eurobondi, përfshin të gjithë elementet e riskut. Vlerësohet edhe situata e një vendi që ka prezencën e tij në vendin tonë”, ka argumentuar Fullani.

Në lidhje me rritjen e cmimeve në treg guvernatori ka përsëritur se banka e konsideron një fenomen të përkohshëm, i cili pritet të stabilizohet në gjysmën e dytë të vitit.

Top Channel