Dëshmitari: Banda e Lushnjes më vrau djalin

28/04/2010 21:15

Ka vijuar me marrjen e dëshmive të katër lushnjarëve të tjerë gjyqi ndaj Aldo Bares, apo Alfred Shkurtit, i cili ndoqi nga kafazi herë në heshtje dhe herë me batuta kërcënuese deklaratat e dëshmitarëve.

I moshuari Ramazan Zeneli dëshmoi para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vrasjen e të birit Nimet Zeneli dhe për vrasje të tjera.

Fillimisht i moshuari i tha trupës gjyqësore se kishte dalë jashtë pasi dëgjoi krisma dhe aty pa dy të plagosur që përpëliteshin dhe më pas Artur Dajën qe u ishte afruar dhe i kishte ekzekutuar.

Ndërkohë, i moshuari tha se kur u afrua në vendngjarje pa poshtë një makinë të vrarë më bukë në gojë edhe Genc Kasharin.

Ai tregoi për vrasjen e të birit Nimet Zeneli, për të cilin i kishin thënë se ia kishin vrarë Enver Dondollaku dhe Arben Borici.

I moshuari tha se një ditë i kishin dërguar urdhër se e kërkonte shefi i komisariatit numer 2 Alfred Shkurti, por bëri të ditur se e refuzoi këtë urdhër duke u pergjigjur se, sa kryetarë ka komisariati.

Kur i moshuari doli nga salla, prokurori kërkoi të bëhej kundërshtimi i një pjese të dëshmisë së tij, pasi Ramazan Zeneli kishte thënë para oficerëve të policisë gjyqësore se kur kishte dëgjuar krisma dhe kishte dale, kishte parë duke u larguar me armë në dorë Alfred Shkurtin.

Edhe dëshmitarët e tjerë u përpoqën të shmangin emrin e Aldo Bares nga ngjarjet për të cilat ata u pyetën nga prokuroria.

Një dëshmitar pohoi se i kishin rrahur djalin pjesetarë të bandës së Lushnjes, por sipas tij i biri e meritonte dhe Aldo ia kishte shpëtuar se ia kishte dërguar në spital për mjekim. Dëshmitari e mbylli rrëfimin me fjaline “ia kam borxh këtë nder”.

Top Channel