
29 persona kanë humbur jetën gjatë punës vetëm gjatë vitit 2009. Inspektoriati i Punës ka deklaruar se janë konstatuar 91 aksidente, më së shumti në sektorin e ndërtimit dhe të minierave.
Ministri i Punes, Spiro Ksera, në ditën ndërkombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë, ka deklaruar se është shumë i rëndësishëm zbatimi ligjit mbi sigurinë në punë.
“Strukturat e Inspektoriatit të Punës gjatë vitit të kaluar kanë shtuar inspektimet në subjektet ekonomike që paraqesin rrezik të madh për punëtorët. 76 përqind e tyre kanë qenë në shkelje të masavë të sigurisë”, ka saktësuar Ksera.
Siguria e punëtorëve, të cilët punojnë në biznese informale, përbën një problem shumë serioz për Shqipërinë.
“Ka një përqindje jo të vogël informaliteti ekonomik, që rrit rrezikun për aksident në vendin e punës. Kërkojmë që të bëhet më shumë propagandë për fushatën parandaluese të këtyre aksidenteve”, ka deklaruar specialisti Alfred Topi.
Organizata Ndërkombëtare e Punës ka deklaruar se në botë cdo vit humbasin jetën 2.4 milionë punëtore, nga të cilët 2 milionë vdesin nga sëmundjet profesionale, dhe gjysmë milion si pasojë e aksidenteve në punë.
Përfaqesuesi i ILOS në Shqipëri sqaron se kostoja për dëmshpërblimin e këtyre punëtorëve shkon në 1.250 miliardë dollarë, ose 4% e produktit bruto në botë.
Top Channel