Ujkani: Nuk kam dyshime, dua Novarën

27/04/2010 13:45

Ishte një prej protagonistëve kryesorë të ngjitjes së Novarës në Serinë B italiane. Pas 33 vitesh, klubi piemontez u ngjit në futbollin e rëndësishëm italian edhe falë pritjeve të Samir Ujkanit në portë.

“Gardiani” kuqezi ishte një prej objektivave kryesorë në merkaton e verës së kaluar dhe afrimi i tij në formë huazimi nga Palermo rezultoi një lëvizje e “goditur”. Pas eksperiencës në LigënPro (kategoria e tretë), tashmë 21-vjeçari kërkon të vazhdojë “bashkëjetesën” me Novarën.

“Të ardhmen time e vendosin dy klubet, Novara dhe Palermo. Por, nëse kjo do të varej nga unë, nuk do të kisha dyshime: do të më pëlqente pa masë të qëndroja te Novara”, deklaroi Ujkani rreth alternativave për të ardhmen. “Dëshiroj të luaj edhe një tjetër sezon te ky klub ambicioz dhe aventura në Serinë B italiane do të më ndihmonte të kisha më shumë eksperiencë. Për më tepër, besoj se këtu do të përmirësohesha edhe më shumë, duke qenë se stërvitem me lojtarë shumë cilësorë dhe që kanë eksperiencë të madhe”.

Top Channel