Goditja e këndit në ndeshjen Lazio-Milan që solli aq dyshime dhe polemika, në Botëror nuk do të ekzistojë, siguron Collina
Është vetëm 15 vjeç, quhet Kamer Qaka, ka lindur në Grabovc të Pejës dhe që nga 1998-a jeton në Norvegji, por është një talent i lakmuar nga klubet të njohura të futbollit europian, ndër të cilat më i interesuar duket gjiganti spanjoll, Barcelona.
Në Norvegji, ku edhe militon si lojtar në radhët e Valerengës, vlerësohet një ndër më të talentuarit. Lajmi është bërë i njohur nga e përditshmja e njohur norvegjeze “Dagbladet”.
Po ashtu është konfirmuar edhe nga Adem Qaka, babai i talentit. “Më kontaktojnë çdo ditë menaxherët e Barcelonës, për të më kërkuar ta dërgoj djalin në akademinë e tyre. Ata e ndjekin Kamerin në çdo ndeshje. Përveç Barçës, për të interesohen dhe klube të tjera europiane, si Hamburg e Verder Bremen në Gjermani, Blekbërn Rovers në Angli, Brondbi në Danimarkë dhe disa nga klubet më të forta norvegjeze. Blekbërn e Brondbi e kanë testuar më herët dhe drejtuesit e këtyre dy klubeve menjëherë kanë bërë ofertë”, është shprehur Adem Qaka.
E njeh mirë futbollin: pozicioni i tij është mesfushor, zotëron teknikë dhe shpejtësi. Luan me të dyja këmbët dhe është i fuqishëm. Ekspertët norvegjezë e krahasojnë me yllin e Barcelonës, Lionel Mesin, i cili është edhe idhulli i tij. Më 11 prill, ditën e ditëlindjes, firmosi kontratë profesionale për dy vite me Valerengen, duke u bërë kështu lojtari më i ri në Norvegji që nënshkruan kontratë profesionale.
Tashmë i ka shanset të grumbullohet në ekipin e parë, por për të luajtur në formacion është ende shumë herët. Edhe pse dy vjet më i vogël, i plotëson të gjitha karakteristikat e ekipit të të rinjve U-17. Klubi i Valerengas nuk dëshiron lëshojë para 2011-s dhe kërkon të fitojë të paktën 20 milionë euro nga shitja e tij. Por edhe i ati dëshiron që ai të përfundojë një herë shkollën. Vetë Qaka ëndërron që një ditë të luajë për Realin e Madridit. “Më vjen mirë që Barcelona po interesohet për mua, por mua më pëlqen Reali i Madridit. Jam i bindur se një ditë do të luaj për këtë skuadër”, thotë talenti.
Top Channel