Bajern Mynih siguron finalen

27/04/2010 22:50

Një tregolësh i sulmuesit kroat Ivica Oliç u ka siguruar gjermanëve të Bajern Mynih finalen e Ligës së Kampionëve pas 9 vjetësh.

Në ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve të trofeut më të rëndësishëm futbollistik në Europë, luajtur në “Stade Gerland”, bavarezët kaluan në avantazh që në minutën e 26 më kroatin Oliç, i cili shënoi pas një asisti të marrë prej sulmuesit Tomas Myler. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, Lion për të barazuar dhe Bajern për të dyfishuar rezultatin, pjesa e parë e takimit mbyllet 1-0 në favor të gjermanëve.

Një episod në minutën e 59 të takimit, ku mbrojtësi Aleks i francezëve largohet pas ndëshkimit më dy kartona të verdhë, një për ndërhyrje të gabuar dhe një për protesta ndaj gjyqëtarit Masimo Busaka vendos fatet e këtij takimi. Tetë minuta më vonë Oliç, pas një topi të marrë prej Altintop dyfishon rezultatin duke qetësuar pankinën dhe tifozët bavarezë.

10 minuta më vonë Oliç, në një superformë në këtë takim, shfrytëzon një tjetër top, këtë herë të dhënë prej mbrojtësit të krahut Lahm dhe siglon golin e tij të tretë personal dhe duke vulosur kalimin në finale të Bajernit.

Në minutat e mbetura megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, rezultati nuk ndryshon. Bajern kalon në finalen e Madridit duke pritur i qetë takimin mes Barcelonës dhe Interit në “Camp Nou” për t’u njohur më kundërshtarin e tij të 22 majit për trofeun prestigjoz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA