Pedagogja kosovare Mimoza Kusari ka deklaruar se shumica e vendeve të Ballkanit vuajnë nga të njëjtat probleme, që kanë të bëjnë kryesisht me politikën.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Kusari ka theksuar se cështjet politike të brendshme duhen ndarë nga ato të integrimit.

“Maqedonia dhe Kosova përcjellin hapat e Shqipërisë. Zgjedhjet lokale në Kosovë zgjatën 6 muaj. Procesi i integrimit të brendshëm duhet ndarë”, ka pohuar Kusari.

Megjithatë, ajo ka nënvizuar se përsa i përket procesit të integrimit, vendet e rajonit janë në stade të ndryshme, pavarësisht disa absurditeteve.

“Vendet e Ballkanit janë në stade të ndryshme. Sot vendet e ish-Jugosllavisë janë në stade të ndryshme. Maqedonia, vend kandidat për në BE, mjafton të shkosh në Tetovë dhe të shohësh se si janë shqiptarët. C’është ky nacionalizëm ndaj shqiptarëve, ndërkohë që Maqedonia është para disa vendeve”, ka theksuar Kusari.

Ajo ka shtuar më tej se një tjetër problem është edhe fobia e BE-së nga zgjerimi, pasi vendet që janë anëtarësuar së fundmi kanë sjellë shumë probleme.

“BE ka edhe fobinë e zgjerimit. Rumania dhe Bullgaria kanë shkaktuar shumë probleme. Gjithashtu, pa zgjidhur cështjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë zgjerim të BE-së”, ka shtuar Kusari.

Top Channel