Interesat për borxhin grek shënuan rekorde të reja negative dje pasi zyra e statistikave publikoi të dhëna shumë negative për papunësinë në këtë vend.

Interesat për bondet dhjetëvjeçare të Greqisë u rritën me 36 pikë bazë, duke shënuar kuotën rekord prej 7.84 përqindësh dhe tashmë i kushtojnë taksapaguesve grekë 4.73 për qind më shumë se sa kushtojnë interesat e borxhit të Gjermanisë.

Papunësia në Greqi u rrit në 11.3 për qind të forcës së aftë për punë në janar, shifra kjo më e lartë e shënuar në gjashtë vjet. “Tregu i punës do të vijojë të përkeqësohet në muajt e ardhshëm si pasojë e rënies së kërkesës dhe rritjes së pasigurisë ekonomike”, deklaroi Diego Iscaro, një analist ndërkombëtar.

Greqia emetoi dje borxhe afatshkurtra me afat maturimi 13 muaj me vlerë 1.95 miliardë euro. Megjithëse shitja rezultoi e suksesshme, Athina u detyrua të pranojë interesin prej 3.65 përqindësh. Në janar, një borxh i tillë ishte shitur për vetëm 1.67 për qind ose gati dy herë më lirë. Papunësia e lartë në Greqi është një lajm veçanërisht i keq edhe për Shqipërinë, për shkak se në këtë vend jetojnë 664 mijë shqiptarë, të cilët pritet të vuajnë përkeqësimin e ekonomisë greke.  

Top Channel