Policia greke mundi të gjejë bazën e organizatës terroriste ‘Lufta Revolucionare’.

Në një banesë të marrë me qira në Athinë janë gjetur shume armatime, kallashnikovë, raketa anti-tank dhe bomba të përgatitura për shpërthim.

Operacioni i heqjes së tyre zgjati 24 ore dhe banorët e zones përreth janë evakuuar për motive sigurie dhe janë strehuar në një hotel.Ndonëse pritet konfirmimi zyrtar, policia beson se kjo ishte baza kryesore e organizatës guerile Lufta Revolucionare, pjesëtarë të së cilës janë arrestuar dhjetë ditë më parë dhe u janë komunikuar akuza që lidhen me terrorizmin.
Baza ndodhet fare pranë godinave të gjykatës së Athinës, që përbënte dhe objektivin e aksionit të parë të organizatës në fjalë, në vitin 2003.

Shërbimi antiterror ka dyshime të bazuara se në arsenalin e gjetur ndodhet edhe arma me të cilën u godit në janar 2008 selia e ambasadës amerikane në Athinë.
Kjo pritet të sqarohet pas kryerjes së analizave balistike. Të njëjtat analiza mendohet se mund ta zbardhin edhe dy ngjarje që kanë mbetur jetime, siç thuhet në gjuhën e policisë: vrasjen e policit roje në banesën e atasheut ushtarak të Britanisë, në vitin 2004, dhe sulmin kundër banesës së kryetarit të këshillit të lartë të shtetit, në prill 2007.

Lufta Revolucionare konsiderohet organizata më e madhe guerilase në vend, pas asgjësimit të 17 nëntorit në vitin 2002, që ishte organizata më jetëgjatë në Evropë.

Top Channel