Shkodra përmbytet për herë të tretë

19/04/2010 20:00

Qindra hektarë tokë në zonën e Nënshkodrës janë mbuluar me ujë pas shkarkimeve që po bëhen në hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin.

Fushat e Nënshkodrës kanë marrë sërish pamjen e një liqeni të madh. Në fshatin Darragjat të komunës Dajc, që ndodhet buzë lumit Bunë, uji ka mbuluar tokat dhe banorët ndihen të frikësuar nga përmbytja e tretë.

Për fat të mirë uji ende nuk ka prekur banesat, por rreziku është prezent. “Kemi që në janar që hyn uji, kjo është përmbytja e tretë. Uji ka hyrë deri këtu dhe po u afrohet shtëpive”, deklaron një banor.

Ndërkohë, ka nga ata banorë të Nënshkodrës të cilët kanë nisur të largojnë bagëtitë nga frika e një përmbytjeje masive.

Fryrja e Drinit nga shkarkimet që po bën Vau i Dejës ka rritur ndjeshëm nivelin e lumit pranë lagjes “Ajasëm”, ku uji ka prekur lokalet buzë rrugës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA