Përmbytjet, Shkodra në rrezik

19/04/2010 09:15

Situata me shkarkimet e ujit në tre hidrocentralet kryesore në Veri të vendit vijon të jetë e njëjtë, ndërkaq nuk mungon monitorimi i vazhdueshëm nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës mbetet në kuotat e 286.3 metra, ose rreth 2 metra mbi kufirin e lejuar, ndërsa prurjet janë 750 metra kub në sekondë, kurse shkarkimet regjistrojnë masën e 300 metrave kub në sekondë.

Të njëjtën situatë kritike regjistrojnë dy HEC-et e tjera, Koman dhe Vau i Dejës, nivelet e të cilave janë fare pranë pikës kritike, për pasojë shkarkimet dje kanë që në nivele 350 dhe 600 metër kub në sekondë. Për të menaxhuar më mirë situatën, ministri Prifti ka ngritur grupin e punës, kurse nga METE jepet konfirmimi i garancisë për shmangie të përmbytjeve.

Ndërkaq situata me reshjet e shumta ka favorizuar KESH-in, i cili ka rritur prodhimin e energjisë elektrike afër rekordit të 30 milionë kilovatëve, ndërsa eksporti regjistron rreth 15 milionë kilovat.

Sa i takon përmbytjeve, zona e Nënshkodrës është më e rrezikuara për të tretën herë.

Në një pjesë të zonës së Nënshkodrës shihet qartë prezenca e ujit që ka nisur të mësyjë drejt tokave dhe oborreve të shtëpive, ndërsa Xhamia e Plumbit është e rrethuar nga uji.

Në fshatin Ashtë të Komunës Bushat, që ndodhet buzë lumit Drin, situata duket me të vërtetë shqetësuese.

Në këtë zonë, prurjet e lumit Drin, kanë mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ndërsa aktualisht rreziku i është afruar banesave.

Më konkretisht janë rreth 10 shtëpi, të cilave rrjedha e lumit po i afrohet nga çasti në çast. Në këto kushte banorët e zonës janë të detyruar të flenë nëpër çadra dhe gjatë gjithë natës rrinë zgjuar nga frika e përmbytjes.

Një nga banorët e kësaj zone, Luigj Llukni, shprehet se situata është e vështirë.

“Uji jo vetëm që ka përmbytur tokat bujqësore, por ka bërë të dalin jashtë rrënjët e pemëve, pasi uji po merr me vete pemë dhjetëra vjeçare. Rrjedha e fortë e Drinit për shkak të prurjeve po merr me vete gjithçka që i del përpara. Shtëpive u ka shkuar uji farë pranë oborreve, vetëm 4-5 metra larg, e nëse vazhdohet kështu banesat tona do t’i marrë rrjedha lumit. Aktualisht jemi duke fjetur në çadra, pasi kemi frikë të rrimë brenda. Gjatë gjithë natës kemi qëndruar zgjuar nga frika se mos uji po na merr me vete shtëpitë. Në këto kushte që jemi shteti duhet të shikojë mundësinë të na shpërngulë nga këtu, pasi nuk mund të jetohet me këtë frikë. Vetëm për dy ditë na janë zhdukur sipërfaqe të tëra toke, uji na ka marrë me vete dhe ushqimin e bagëtive”.

Ndërkaq shkarkimet e ujërave nga hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin në këtë mënyrë po provokojnë një përmbytje të tretë të Nënshkodrës. Zona e parë që po jep alarmin është fshati Ashtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA