
Ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta ka garantuar homologun e tij kosovar Skënder Hyseni, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, se Shqipëria do të mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetit të saj.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur para pak castesh, Meta ka vlerësuar me nota pozitive anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB.
“Do të punojmë derisa Kosova të ketë vendin e saj në OKB. Fakti që Kosova është njohur nga shumica e vendeve të BE, NATO-s dhe shumë shtete të fuqishmë anëembanë globit tregon se baza për të forcuar njohjet në të ardhmen ekziston. Ky do të jetë një proces i suksesshëm”, ka deklaruar Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se Kosova ka të ardhme evropiane dhe ka nënvizuar rëndësinë e kryerjes së reformave të nevojshme për t’u anëtarësuar në BE.
“Është e nevojshme që të kryhen sa më shpejt reformat e nevojshme për t’u bërë anëtar i BE-së. Kosova e pavarur është faktor stabiliteti në rajonin tonë”, është shprehur Meta.
Ai ka shtuar më tej se rëndësi të vecantë do t’u kushtohet edhe marrëdhënieve dypalëshe, të cilat do të jenë më intensive dhe do të shtrihen në fusha të ndryshme.
“Po punojmë që përmes një partneriteti të vecantë të intensifikojmë marrëdhëniet në fushën e ekonomisë, turizmit, energjisë, etj. Ramë dakord që në kuadër të këtij bashkëpunimi të hapim 3 pika të reja kufitare”, ka shtuar Meta.
Ndërsa ministri Hyseni, duke qendruar tek lidhja mes dy vendeve e ka vënë theksin tek rruga e kombit, për të cilën ka dhënë garancinë e tij se pjesa kosovare do të realizohet sa më shpejt.
“Është kënaqësi e vecantë të jem në Tiranë, sidomos sot se rrugën për në Tiranë e bëra me veturë, duke parë pjesën shqiptare të rrugës së kombit. Shpreh kënaqësinë që edhe në Kosovë nënshkruam një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” dhe shumë shpejt pjesa kosovare e rrugës do të përparojë”, ka pohuar Hyseni.
Hyseni ka nënvizuar se qeveria kosovare po punon në mënyrë intensive për konsolidimin e institucioneve të saj, si dhe për njohjen e pavarësisë nga sa më shumë vende.
“Kosova po bën hapa të sigurtë drejt konsolidimit të shtetësisë së saj, po bën përparim në të gjitha fushat përkundër vështirësive që dalin përpara. Në rrafshin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë, Kosova po ballafaqohet me blloqe të ndryshme dhe po arrin progrese pavarësisht se disa vende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka deklaruar Hyseni.
Më tej shefi i diplomacisë kosovare ka shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar me vendet fqinje, përfshirë këtu Serbinë, si dy vende të pavarura.
“Ne presim që edhe Republika e Serbisë do t’u bashkohet vendeve të tjera të Ballkanit për të vendosur marrëdhënie me fqinjët. Me Serbinë do të bashkëpunojmë si dy vende të pavarura”, ka nënvizuar Hyseni, duke shtuar se e ardhmja e Ballkanit është në BE.
Top Channel