Kriza që ka prekur shumë sektorë të ekonomisë këtë vit ka ndikuar në uljen e importeve të prodhimeve bujqësore për Qarkun e Fierit.
Të paktën kështu kanë raportuar firmat e mëdha importuese që operojnë në tre rrethet: Fier, Lushnjë e Mallakastër.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Fier, Shezai Çobo, pohon faktin e uljes së importit të prodhimeve bujqësore.
Ndryshimi i kushteve klimaterike gjatë vjeshtës dhe dimrit të fundit, ndikuan në mbjelljen e prodhimeve bujqësore me vonesë.
Madje, në pjesën më të madhe të qarkut ende nuk janë kultivuar perimet e verës.
Çobo thotë se, pjesa më e madhe e firmave importuese ka kaluar një krizë të thellë ekonomike, e cila i ka vënë ata në vështirësi për të paguar detyrimet dhe ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik.
“Rënia e fuqisë blerëse ka vënë në vështirësi tregtarët e vegjël dhe të mesëm dhe këta të fundit kanë ndikuar tek importuesit e mëdhenj që furnizojnë katër super-tregjet bujqësore që ka Qarku i Fierit, tregje këto nga marrin furnizim jo vetëm rrethet e Jugut të vendit, por edhe një pjesë Shqipërisë së Mesme. Rënia e importit të prodhimeve është ndier gjatë muajit janar të këtij viti, ndërkohë që shenjat e para u dhanë që në muajin nëntor të vitit 2009”, ka sqaruar kreu i Dhomës së Fierit.
I vetmi sektor që po ecën pozitivisht janë tekstilet, që vet Çobo shprehet i habitur se janë rritur me 5% eksportet.
Top Channel