Berisha kthehet në atdhe

19/04/2010 09:10

Kryeministri Sali Berisha u kthye më në fund në Shqipëri me makinë dje në mbrëmje vonë nëpërmjet pikës kufitare të Murriqanit në Shkodër, duke përshkuar vendet e Europës qendrore dhe disa prej atyre të gadishullit tonë.

Për shkak të kaosit që u krijua në aeroportet europiane pas resë gjigande vullkanike, që pushtoi qiejt e Europës, kryeministri e kishte të pamundur të ndiqte linjën normale të fluturimit Bruksel-Vjenë-Tiranë.

Pas vizitës zyrtare në Bruksel ku dorëzoi pyetësorin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ai u nis të premten paradite me makinë nga Brukseli dhe për më shumë se 10 orë përshkoi rreth 1300 km në Gjermani dhe prej andej mbërriti në Vjenë.

Atje u njoftua për mbylljen e fluturimeve nga aeroporti vjenez, çka e detyroi kryeministrin Berisha të qëndrojë edhe të shtunën në kryeqytetin e Austrisë dhe të mbërrijë në Shqipëri vetëm dje në mbrëmje pas mijëra km udhëtimi me makinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA