Virozat e stinës, qindra të sëmurë në spitale

18/04/2010 09:25

Pranvera ka ardhur me alergji dhe grip për të gjithë qytetarët e Tiranas. Rrufë, kollë, probleme me rrugët e frymëmarrjes, këputje, temperaturë. Probleme gastrointestinale, por edhe ngatërrim mes virozës së stinës me alergjinë.

Menjëherë pas rritjes e uljes së temperaturave, motit të paqëndrueshëm, janë shtuar menjëherë dhe pacientët që kërkojnë ndihmë shëndetësore në spital e qendra shëndetësore.

Kryesisht, rruga në spital realizohet vetëm pas “dështimit” nga metodat e shtëpisë dhe pasi ilaçet e marra në farmaci pa rekomandim, nuk japin efektin e pritur.

Më problematikët, sipas mjekëve në këtë sezon mbeten fëmijët, të cilët janë edhe më shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe motit të paqëndrueshëm.

Urgjenca e shërbimit të pediatrisë, qendrat shëndetësore, por edhe poliklinikat kanë nisur të presin fluksin e pacientëve, në mënyrë të veçantë gjatë kësaj jave, kur temperaturat pësuan ulje të menjëhershme dhe moti u karakterizua nga paqëndrueshmëria dhe rrymat e ftohta, që aktualisht po qarkullojnë në rajonin tonë.

Por sipas mjekëve, një problem tjetër me rëndësi këtë muaj e deri në fund të pranverës do të mbeten edhe alergjitë e stinës, që krijohen kryesisht nga poleni i luleve.

Problemet respiratore, bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, kruarje e hundës, qiellzës, syve, si dhe rrufa shpeshherë ngatërrohet me virozën e stinës, ndërkohë që në fakt janë probleme të alergjive stinore.

Vizita te mjeku specialist, por njëkohësisht pastrimi i ambientit nga pluhurat, evitimi i ambienteve të hapura ku qarkullon lehtësish poleni i luleve, janë disa nga këshillat e mjekëve.

Sa i takon virozës së stinës, specialistët këshillojnë paraqitje te mjeku i familjes, ndërkohë që për fëmijët e vegjël rekomandohen banjat me ujë të vakët në rast temperature dhe paraqitje te specialisti në rast përkeqësimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA