Sanatoriumi, në pritje të CV-ve të mjekëve

18/04/2010 09:45

Spitali rajonal i kryeqytetit i cili do të inaugurohet në muajin qershor, nuk është një lajm i mirë vetëm për ata që do të trajtohen, por edhe për ata që do të punojnë.

Duke qenë se shërbimet që do të ofrohen për pacientët do të përfshijnë të gjitha pavijonet kryesore, që ka çdo spital rajonal, edhe numri i personelit, mjekëve, specialistëve teknikë do të shtohet. Kjo krahasuar me personelin që aktualisht punon pranë spitalit të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Konkretisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, inaugurimi i spitalit rajonal dhe universitar të Tiranës do të bëhet në muajin qershor, në një kohë edhe me “promovimin” e masterplanit, spitalit të ri brenda qendrës, “Nënë Tereza”.

Kështu në të dy këto spitale do të punësohen, mjekë, infermierë, specialistë teknikë, si dhe personel mbështetës në bazë të organigramës, strukturë të propozuar nga specialistët që kanë projektuar ndërtimin e dy projekteve. Kështu, përgjatë muajit prill dhe muajit maj do të nisin edhe përzgjedhjet e para të personelit. Dosjet ku do të dorëzohet jetëshkrimi bashkë me kërkesën dhe materialet e tjera plotësuese do të depozitohen pranë Ministrisë së Shëndetësisë, administratës spitalore pranë spitalit të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi” dhe drejtorisë së qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Shërbimet e spitalit rajonal

Ky spital universitar është konceptuar të ketë 300 shtretër, ku do të trajtohen një sërë sëmundjesh, si dhe do të jetë një qendër studimore shkencore. Spitali do të ketë shërbimin e pneumologjisë së bashku me tuberkulozin, mjekësinë interne, kardiologji së bashku me koronarografinë, kirurgji së bashku me kirurgjinë torakale. Po ashtu në spitalin e Tiranës do të ofrohet shërbimi i urgjencës, i imazherisë, skaner, rezonancë, shintigrafi, laboratorë. Spitali do të ketë administratën, si dhe shërbimet mbështetëse. Për më pak se dy muaj një “pol” i dytë universitar do t’i ofrohet Tiranës. Në qershor pritet inaugurimi i rikonstruksionit të spitalit pulmonar “Shefqet Ndroqi”, i kthyer tashmë në një qendër spitalore universitare.

Qendra spitalore do të jetë universitare dhe rivale e denjë e qendrës “Nënë Tereza”. Sipas projektit, spitali universitar i sëmundjeve të mushkërive do të kthehet në një qendër të madhe polivalente. Do të vazhdojë të japë shërbim të specializuar për mushkëritë, si dhe të trajtojë personat e prekur nga tuberkulozi, por nga ana tjetër do të ofrojë shërbimet më të kërkuara, njësoj si në spitalin “Nënë Tereza”.

Aplikimet

Aplikimet për t’u punësuar në një nga shërbimet e qendrës së Tiranës kanë nisur para shumë vitesh. Ish-ministri i Shëndetësisë ka ftuar mjekët e rinj, por edhe ato me eksperiencë për të aplikuar për një vend pune, më shumë se dy vjet më parë. Ndërkohë që kualifikimi i fundit pritet të bëhet përgjatë një muaji e gjysmë. Dosjet e aplikantëve do të shqyrtohen nga një grup specialistësh. Kualifikimet do të bëhen në bazë të CV, botimeve, kualifikimeve, rekomandimeve dhe kritereve të tjera vlerësuese.

Top Channel