Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin e jashtëzakonshëm që po zhvillohet sot në Pallatin e Kongreseve u shpreh krenar për betejën dinjitoze qe synon të mos e lërë të ardhmen peng të pushtetit.
Rama e nisi fjalimin e tij me tone të ashpra, duke akuzuar kryeministrin Sali Berisha si dhunues të votës e fjalës së lirë, ndërsa theksoi se shefi i qeverisë po mban të kycur armën e korruptimit të zgjedhjeve në kutitë e mbyllura.
“Ne po bëjmë një betejë shumë të vështirë aspiratash të mëdha dhe jemi këtu për të cliruar të ardhmen”, u shpreh Rama.
Sipas tij më 30 prill opozita dhe populli do t’i japin jetë një manifestimi të madh dhe 1 maji do të gdhihet si një betejë qytetare për ndalimin e krimit ekonomik.
Ndër të tjera shefi i socialistëve përshendeti kthimin në gjirin e PS-së politikanë si Pëllumb Xhufi, Mustafa Muci, Sabit Brokaj, Fatos Klosi dhe kthimin e shumë të tjerëve që e refuzuan, sipas tij, përfshirjen në punën e qeverisë së pykave.
Rama u shpreh se dyert e Partisë Socialistëve do të jenë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e betejës së opozitës.
“Nuk mund të lejojmë qe kryeministri i pykave të marrë peng të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.
Duke folur për ekonominë, Rama theksoi se borxhi i Shqipërisë në vitin 2009 është shtuar duke rënduar më shumë në cdo familje shqiptare.
Nga ana tjetër Rama theksoi se opozita kërkon medoemos që shqiptarëve t’u hiqen vizat para verës, ndërsa u shpreh se socialistët nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë pengesë për integrimin e vendit.
“Ata që na thonë që të heqim dorë nga protesta sepse po pengojmë heqjen e vizave, u themi se nuk mund t’i heqim vizën vetvetes dhe nuk mund t’u vëmë vizën aspiratave tona. Pa protestuar, pa cliruar zgjedhjet ne nuk integrohemi kurrë ne Europë, sepse nuk do të kemi një shtet, polici, shkolla, spitale, treg të lirë si në Europë. Ne jo vetëm do të protestojmë cdo ditë, jo vetëm do ta kthejmë 1 Majin në një ditë beteje në rrugë, por ne nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverisë, në rast se qeveria nuk do të largojë duart nga kutitë që mbajne mbyllur drejtësinë, ekonominë e këtij vendi”, u shpreh Rama.
Sipas tij nuk ka një datë të saktë se kur do të mbarojë kjo betejë, por ftoi të gjithë qytetarët që të derdhen ne sheshet e protestës për të përshpejtuar rrugën që na con drejt fitores së njerëzve që nuk kërkojnë gjë tjetër, vecse respektimin e të drejtave.
Top Channel