Kanë përfunduar rreth orës 16:30 punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ku u miratua një rezolutë që mbështet protestat e vazhdueshme, aksionin opozitar dhe luftën e vazhdueshme, sipas socialisteve, ndaj regjimit të Berishës.
“Në rezolutën e Partisë Socialiste parashtruam kërkesën e mbështetësve për një luftë të papajtueshme me regjimin e Berishës. PS bën thirrje që data 30 prill të jetë një ditë e madhe protestash peër t’i thënë jo regjimit të Sali Berishës. Të forcojmë kërkesën tonë për transparencë, nga e cila rrjedhin të gjitha problemet e shqiptarëve”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së, Blendi Klosi.
Më tej zoti Klosi foli edhe për ndryshimet në statutin e partisë, ku u shpreh se ato u përshtatën me realitetin e ri politik në vend, forcojnë jetën politike të brendshmë të partisë si dhe për të forcuar strukturat.
“Ndryshimet statutore forcojnë jetën e brendshme të Partisë Socialiste, ndarjen administrative, është edhe forcimi i strukturave të partisë në emigracion, forumit rinor dhe atij të gruas”, tha Klosi.
Më tej pasi bëri thirrje për t’iu bashkuar protestës së 30 prillit para kryeministrisë deputeti socialist sqaroi se manifestimet opozitare do të vazhdojnë deri në momentin kur do të ketë një reagim kundrejt kërkesave të opozitës prej qeverisë.
“Protestat do të përfundojnë kur të ketë një reagim nga qeveria”, përfundoi Klosi.
Top Channel