Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, anuloi dje ftesën për të referuar në universitetin grek, “Megaro Musikos”, në datën 19 prill.
Përmes një letre dërguar universitetit, Kadare ka theksuar se anulimi i kësaj vizite vjen për shkak të klimës jo të përshtatshme që është krijuar mes Greqisë dhe Shqipërisë, si pasojë e thirrjeve raciste të bëra nga disa ushtarakë grekë përgjatë një parade më 25 mars.
Në letrën e tij, Kadare thekson se ai ka një admirim të madh për letërsinë dhe kulturën greke, por tashmë nuk ka asnjë gjurmë qytetërimi në thirrjet e ardhura nga një pjesë e Forcave të Armatosura të vendit fqinj.
“Duke pasur parasysh ngjarjet e kohëve të fundit, shumë të pakënaqshme, që ndodhën në Athinë, duke shënuar racizëm ndaj shqiptarëve, vendosa të anuloj vizitën time në vendin tuaj. Ju e dini shumë mirë admirimin që kam për letërsinë greke dhe për kulturën greke, por unë besoj se brenda një klime të tillë, së cilës i mungon çdo gjurmë e qytetërimit, vizita ime do të ishte e parakohshme”, shprehet Kadare në letrën e tij.
E menjëhershme dhe mirëkuptuese ka qenë edhe përgjigjja e universitetit grek. Në përgjigje të letrës, drejtuesit e “Megaro Musikos” janë shprehur se ata do të tentojnë sërish në të ardhmen për ta pasur Kadarenë si lektor të auditorëve të tyre.
Top Channel