Duro kallëzon në polici kryebashkiakun e Peqinit

08/04/2010 19:40

Trajneri i skuadrës së Besës, Shpëtim Duro ka denoncuar penalisht kryetarin e bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi për veprën penale të, “goditjes për shkak të detyrës”.

Denoncimi i Duros është dorëzuar pranë komisariatit Nr.2 në Tiranë. Kallëzimi i Duros i referohet  dhunës së ushtruar ndaj tij pas perfundimit te ndeshjes Shkumbini-Besa e fituar nga kjo e fundit me rezultatin 1-0 e vlefshme per Kupën e Shqiperise.

Pas këtij takimi, Duro ka nënvizuar në kallëzimin e tij se kryetari i bashkise se Peqinit, Ilir Rrushi, pa asnjë motiv e ka goditur fizikisht duke e lënë për disa minuta pa ndjenja. Ky është rasti i parë që një trajner i një skuadre futbolli në vendin tonë denoncon drejtues lokale për dhunë të ushtruar ndaj tij.

Ndonëse kallëzimi i Duros është dorëzuar në komisariatin Nr.2 të Policisë së Tiranës, kjo cështje pritet t’i delegohet Policisë së Peqinit, pasi në këtë qytet ka ndodhur akti i dhunës për të cilin policia lokale duhet të ketë raportin përkatës. Më pas do të jetë prokuroria e Elbasanit ajo që do të vendosë për marrjen ose jo si të pandehur kryebashkiakun e Peqinit, Ilir Rrushi.

Top Channel