Lorik Cana, “betejë” për t’u rikuperuar

07/04/2010 13:00

Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, duhet të luftojë për të rifituar vendin në formacionin titullar të trajnerit Stiv Brus deri në fund të sezonit.

Kur kanë mbetur vetëm pesë javë nga mbyllja e Premierligës, mesfushori i Kombëtares shqiptare vuan nga një dëmtim në ije, që e mbajti jashtë sfidës së të shtunës, ku “macet e zeza” mposhtën Totenhamin. Megjithatë, edhe nëse do të ishte në formë optimale, 26-vjeçari duhet të bëjë llogaritë me rivalitetin e Devid Mejler dhe Xhordan Henderson, të cilët shkëlqyen në fitoren 3-1.

Rritja e nivelit të lojës së Mejler dhe Henderson mund të përkthehet si një paralajmërim se Cana nuk e ka më të sigurt vendin në 11-she. Ai ishte një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës në fillim të sezonit, së bashku me Li Katermol, por së fundmi, paraqitjet e kapitenit nuk kanë qenë në nivelet e pretenduara. Përpara se të lihej në stolin rezervë kundër Totenhamit, Cana ndjeu probleme në ije gjatë nxehjes përpara ndeshjes. Këtu lindën edhe spekulimet se kuqeziu ka debatuar me Brus, pasi drejtuesi i stolit e informoi se nuk do ta aktivizonte prej minutës së parë. Megjithatë, trajneri i ka hedhur poshtë këto zëra, duke këmbëngulur se nuk do të rrezikojë me kapitenin, deri në momentin kur stafi mjekësor do t’i hapë “dritën jeshile”, se Cana është plotësisht në gjendje që të luajë. “Loriku kishte dhembje gjatë javës dhe e njëjta gjë u përsërit edhe në nxehje. Nuk do të rrezikoj asnjë prej lojtarëve të mi në këtë pikë të sezonit. Do të shqyrtojmë me kujdes gjendjen e tij”, konfirmoi Brus.

Ndërkohë, vetë Cana duket se ka zbuluar “formulën” që gjatë sezonit të ardhshëm të mos ndëshkohet më tepër nga sa duhet me kartonë. Zgjidhja është e thjeshtë: më shumë diskutim me gjyqtarët. Gjatë muajit mars, “shkatërruesi” humbi dy ndeshje të Sandërlendit, pasi kishte plotësuar numrin e dhjetë kartonëve të verdhë. Ai e ka kuptuar se kultivimi i një marrëdhënie më të mirë me “xhaketat e zeza” është sekreti për të luajtur më tepër në futbollin anglez.

Cana tha: “Fillimi i sezonit ka qenë i mirë, por jo gjithçka ka qenë e lehtë, si për mua ashtu edhe për skuadrën. Kam munguar në disa ndeshje të rëndësishme për shkak kartonësh, por kjo është mënyra ime e lojës dhe ndonjëherë ndëshkohem. Megjithatë, mendoj se në sezonin tjetër gjërat do të ndryshojnë. Kur i njeh më mirë arbitrit dhe flet me ta, nuk përjashtohet edhe ndonjë ‘tolerim’ i vogël. Mund të them se së fundmi, marrëdhëniet e mia me gjyqtarët janë përmirësuar dhe shpresoj që kjo të vazhdojë. Gjithsesi, nëse një futbollist luan 33 ose 34 ndeshje brenda një edicioni, është normale që herë pas here ai të marrë kartonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA