Kupa e Shqipërisë, sot luhet për finalen

07/04/2010 12:30

Akti i parë i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë është konsumuar, por asnjëra nga skuadrat nuk ka mundur të bëjë hapa bindës drejt kualifikimit.

Tashmë kanë mbetur edhe 90 minutat e kthimit, ato që do të vendosin se cila do të jetë finalja e 9 majit, ku do të luftojnë dy skuadrat për trofeun e dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar.

Shkumbini-Besa dhe Vllaznia-Teuta do të jenë dy sfidat e nxehta, ku pritet që secila skuadër të japë gjithçka në fushë për të siguruar biletën në finalen e madhe, fituesi i së cilës do t’i garantojë vetes luksin për të luajtur në Europa League. Falë rezultateve në ndeshjet e para të luajtura më 24 mars, Shkumbini dhe Teuta vijnë sot më të favorizuara. Peqinasit kanë surprizuar Besën në Kavajë, teksa kanë barazuar 1-1, ndërsa Teuta, në pozita aspak komode në kampionat, ka mundur Vllazninë në “Niko Dovana” 1-0.

Por gjithçka mbetet e hapur në ndeshjet e kthimit, që luhen sot. Shkumbini kërkon të futet në histori, duke pretenduar finalen e parë për të gjithë historinë e klubit. Tani mjafton një barazim pa gola për ta eliminuar Besën, ndryshe duhet patjetër fitorja.

Presioni është mbi kavajasit, që nëse dështojnë në Kupë, do të duhet të luftojnë fort deri në javën e fundit për të garantuar të paktën një vend të dytë në kampionat, i cili gjithsesi do të mund t’i katapultonte drejt Europa League. Një ndjenjë e dyfishtë do të përjetohet nga trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu, i cili nëse do të mund të kualifikohej sot, do të shndërrohej në një hero në Peqin, ndërkohë që kavajasi do të shpallej “i padëshiruar” në qytetin e tij të lindjes.

“Forca e ekipit qëndron te kolektiviteti dhe po ecim mirë si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, rrëfen Daiu. Jemi të favorizuar nga ndeshja e parë, por do të luajmë për të fituar edhe më shumë për tifozët tanë. Kualifikimi do të ishte historik për qytetin e Peqinit dhe për mua si trajner”. Trajneri Shpëtim Duro, një nga katër trajnerët që drejtojnë nga fillimi i sezonit në Kategorinë Superiore, është i qartë në idenë e tij: për të luajtur gjithçka për gjithçka. “Nuk është transfertë e pakalueshme, me gjithë vështirësinë dhe historinë e problemeve që kemi pasur atje”, tha Duro, i cili së fundmi ka stërvitur skuadrën e tij edhe për serinë e gjuajtjeve të penalltive. Hyrja në stadium do të jetë falas si për peqinasit, por edhe për kavajasit, prandaj është e garantuar një atmosferë e ndezur. Vllaznia ka gabuar në ndeshjen e parë në Durrës, por beson se në tempullin e saj, “Loro Boriçi”, do të mundë të përmbysë gjithçka në favorin e saj sot. Drejtuesit shkodranë kanë mbyllur hermetikisht skuadrën në lidhje me deklaratat për shtyp, për t’i krijuar qetësi para kësaj sfide të rëndësishme. Trajneri Edi Martini do të duhet të bëjë pa dy mungesa me peshë, malazezin Mrvajleviç e anglezin Feniks, të skualifikuar në ndeshjen e parë në Durrës, ndërsa Teuta nuk ka në dispozicion Erion Shehun, që mori karton të kuq në “Niko Dovana” më 24 mars. Trajneri Ylli Shehu nuk pranon zërat se Teuta mund të tolerojë në Kupë, pasi e ka mendjen te shpëtimi nga rënia nga kategoria në kampionat. “Pasi humbëm mundësinë në kampionat, fitimi i Kupës do të realizonte një objektiv tonin sezonal, tha Shehu. Ne do të japim maksimumin tonë në dy frontet, por besojmë shumë te finalja”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA