Bayern Mynih-Lion është gjysmëfinalja tjetër pas asaj Barcelona-Inter.
Bavarezët edhe pse janë mundur 3-2 në Old Traford kanë mundur të kualifikohen falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë në Mynih.
E kanë filluar shpejt djemtë e Ferguson të cilët që në minutën e shtatë e panë veten në avantazhin e dy golave. Në minutën e tretë pas një asisti të Uejn Runit, Gibson befason portierin Bat të Bajernit dhe pak minuta më pas Nani, në mënyrë spektakolare shënon golin e dytë për “Djajt”.
Me gjithë presionin e bavarezëve Mançesteri falë shpejtësisë së lojës është më efikas në sulm dhe sërish portugezi Nani, i harruar i vetëm në zonë shënon golin e tretë në Minutën e 41-të.
Përpara mbylljes së pjesës së parë Oliç gjen rrugën e rrjetës në një pozicion të prirët, duke mbajtur gjallë shpresat e Bajernit për 45 minutat e tjera.
Në pjesën e dytë Mançesteri mbetet me dhjetë lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Rafael dhe gjermanët marrin në dorë kontrollin e lojës, ndërsa vendasit tentojnë me kundërsulme.
Në minutën e 74-të holandezi Roben pas një koordinimi perfekt gjen një hapësirë për të mposhtur Van der Sar dhe mbrotjen e Mançesterit që gjatë gjithë lojës ishte thuajse e pakalueshme.
Ndërkohë edhe Lioni është kualifikuar për herë të parë në gjysmëfinalen e këtij aktiviteti edhe pse është mundur 1-0 në ndeshjen e dytë nga Bordoja.
Edhe në këtë përballje vendimtar ka qenë rezultati i ndeshjes së parë e fituar 3-1 nga Lioni. Në përballjen e dytë përpjekjet e Bordosë janë konkrektizuar me golin e vetëm të takimit që u shënua nga Camak në mbyllje të pjesës së parë.
Gjysmëfinalja mes Bayernit të Mynihut dhe Lionit do të zhvillohet më 21 prill.
Top Channel