Topi: Kriza, zgjidhje në Kuvend

06/04/2010 19:45

Zgjidhja e krizës politike është një kusht për integrimin e vendit. Në një intervistë për radion “Deutche Welle”, presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se tryeza e presidentit solli një hap të rëndësishëm përpara, hyrjen e opozitës në Kuvend dhe se tashmë janë palët ato që duhet të dialogojnë dhe gjejnë një zgjidhje në parlament.

“Sa kohë që janë në parlament, unë e shikoj të tepërt një lloj interference për t’i thënë: ejani bisedoni. Ato natyrisht ato janë duke biseduar, po debatojnë dhe janë në parlament dhe besoj që atje duhet të gjejnë zgjidhje midis tyre”, deklaroi presidenti.

Lidhur me protestat, ai ka deklaruar se janë një e drejtë demokratike e opozitës.

“Nuk mund të bëj koment për protestat, sepse duke pasur një eksperiencë të gjatë politike – edhe unë kam protestuar kur kam qenë pjesë e një formacioni politik – kështu që askush nuk mund të kontestojë të drejtën për të protestuar, por jam i bindur, që edhe protestat do të realizohen brenda kuadrit ligjor, që vetë politika i ka aprovuar, i ka përpunuar, dhe duhet t’i pranojë si të tilla”, tha Topi.

Në intervistë kreu i shtetit ka prekur edhe cështjen delikate të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

“Jemi absolutisht në kohë për Gjykatën Kushtetuese. Shumë shpejt do të zbatohet linja kushtetuese e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas kushtetutës do të miratohen në parlament”, deklaroi presidenti.

“Njerëzit që zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, e në çdo gjykatë, duhet patjetër që të  jenë në parametrat më të lartë të moralit dhe të profesionalizmit. Pastaj gjithçka është pjesë e një procedure, e cila përshkruhet me shumë hollësi në kushtetutë dhe në ligj”, shtoi Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA