Barcelona-Inter është gjysmëfinalja e parë e këtij sezoni të Champions Leagues. Këto janë dy emrat e dala nga përballjet çerekfinale të ditës së martë.
Lionel Mesi është ai i cili ka mundur i vetëm Arsenalin në “Camp Nou” duke shënuar katër gola kundrejt një të anglezëve.
E fillojnë pikërisht djemtë e Arsen Venger ata serinë e golave, duke kaluar në avantazh në minutën e 18-të të takimit pas një kombinimi perfekt të Walcot me Bendtner. U dukën ambicioz topçinjtë në këtë ndeshje të dytë me katalanasit, por ky gol vetëm sa ka nxehur argjentinasin e Barcelonës i cili merr përsipër kualifikimin e skuadrës së tij për në gjysmëfinale.
Dy minuta pas këtij goli Mesi fillon të hipnotizojë kundërshtarët me magjitë e tij të njëpasnjëshme. Në minutën e 37-të nga brenda zonës, atë që nuk bëjnë sulmuesit e tjerë e bën sërish ai, duke kaluar Barcelonën në avantazh me golin e dytë. Por pa përfunduar gëzimin këtij goli të dytë, ky lojtar jashtëtokësor lë gojë hapur kundërshtarët dhe në mënyrë të veçantë portierin Almunia me golin e tretë, duke e mbyllur këtë pjesë të parë të takimit në 3-1.
Në pjesën e dytë nuk mbetet gjë tjetër veç administrimit të avantazhit, përpjekjet e Arsenalit nuk ndryshojnë asgjë dhe Mesi i jep goditjen e fundit portierit kundërshtar dhe mbrojtjes duke shënuar golin e katërt e duke vulosur këtë poker të tij personal përball 11 lojtarëve të Arsenalit.
Barcelona-Inter, kjo do të jetë gjysmëfinalja e parë pas 7 vjetësh për zikaltrit dhe që i çon ata shumë pranë finales së Madritid dhe trofeut të Champion Leagues, një ëndërr që sipas vetë Mourinjos ka vetëm 25% të mundësive të realizohet.
Ndeshja e tyre e parë gjysmëfinale do të zhvillohet më 20 prill e do të luhet në Milano, ndërkohë që ndeshja e kthimit më 27 prill. Nga këto dy ndeshje do të dalë dhe skuadra që do të shkojë në finalen e madhe në Santiago Bernabeu të Madridit më 22 maj.
Top Channel