Faturat tatimore online

06/04/2010 15:55

Për herë të parë mbi 13 mijë biznese të mëdha kanë deklaruar në mënyrë elektronike librat e shitjeve për muajin mars me faturat përkatëse të cdo transaksioni që kanë bërë qoftë shitje apo blerje.

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, e konsideroi si një nga reformat më të mëdha të tatimeve.

Sipas të dhënave zyrtare, librat e shitjes janë deklaruar në mënyrë elektronike nga më shumë se 90 për qind e bizneseve të mëdha.

“Dërgimi i një informacioni të saktë nga tatimpaguesit është një garanci për tatimpaguesit, që kjo administratë të mos i shkelë më të drejtat e tyre”, u shpreh Papajani.

Të dhënat që dorëzohen nga bizneset mbi transaksionet kryqëzohen automatikisht nga sistemi, i cili evidenton menjëherë mospërputhjet, për ato fatura tatimore që figurojnë si shitje në një biznes, por që nuk deklarohen si blerje nga biznesi tjetër. Ekspertët e tatimeve bëjnë të ditur gjithashtu se sistemi i ri elektronik, mbyll shtigjet për skemat fantazmë, ato biznese që lëshojnë fatura fiktive për të përfituar nga rimbursimi i TVSH-së.  

Top Channel