Dy punonjës policie janë arrestuar në mbrëmjen e së martës nën akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Akuza ndaj tyre rëndohet akoma edhe më shumë pasi, dy oficerët e policisë dyshohen se i kanë marrë para familjarëve të disa personave të shpallur në kërkim nga policia, për të mos i arrestuar ata.
”Kryeinspektor Preng Frroku, 43 vjec, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr 3, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. Inspektor Besnik Preni, 34 vjec, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr 3, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. Këto arrestime janë bërë të mundur pas një hetimi dy mujor me përdorimin e metodave speciale të hetimit”, njoftoi në një konferencë për shryp zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini.
Dy uniformat blu janë arrestuar në flagrancë nga shërbimi i Kontrollit të Brendshëm Tiranë, nën drejtimin e task force të Prokurorisë së Tiranës, e cila ka patur në dorë përgjimet ndaj dy policëve ku ekzistonin prova për marrjen e shifrave të konsiderueshme parash ndaj të afërmve të personave të kerkuar.
Policët në bashkëpunim mendohet që nuk kanë arrestuar të paktën dy persona të kërkuar për vjedhjen e pronës së tjetrit edhe pse kanë patur dijeninë për vendin ku ndodheshin të dyshuarit si vjedhës.
Top Channel