Rruga Fier-Vlorë rrezikon sezonin veror

02/04/2010 09:15

Pushimet e verës në Vlorë janë në pikëpyetje. Të paktën kështu shprehen banorët e Qarkut të Fierit, të cilët prej vitesh kanë sfiduar largësinë me disa km dhe kanë preferuar të pushojnë në bregdetin e Vlorës.

Nga Fieri deri në Vlorë rruga kombëtare që ka një gjatësi mbi 20 km është bërë e pakalueshme prej automjeteve.

Segmenti rrugor Fier-Ura e Mifolit, në pothuaj të gjithë gjatësinë e tij është i shkatërruar. Për të përshkuar këtë segment më parë duheshin vetëm 10-12 minuta, ndërkohë që aktualisht duhen më tepër se 40 minuta, për shkak të amortizimit.

Mosndërhyrja prej vitesh ka bërë që situata e rrugës të jetë sot në gjendjen më kritike të saj. Mjetet që lëvizin në të dy kahet e drejtimeve shpesh herë janë bërë objekt aksidenti si shkak i devijimit të gropave.

Gjendjen e rëndë e pranon edhe drejtori i Ndërmarrjes Rajonale Mirëmbajtje Rruga Fier, Moxart Çela. “Mungesa e investimeve dhe koha e keqe, shiu që nuk ka pushuar gjatë gjithë dimrit, që ka ndikuar në keqësimin e gjendjes së rrugës”, thotë ai.

Këtë verë, por as në sezonin e ardhshëm, asnjë nga rrugët, as të reja dhe as të vjetra, nuk do të jenë në shërbim të turizmit dhe në funksion të pushuesve.

Top Channel