Pitella: Mund ta kalojmë erën berlusconiane

01/04/2010 21:55

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Giovanni Pitella, njëkohësisht eksponent i rëndësishëm i së majtës italiane, ka deklaruar në një intervistë për Top Channel, se zgjedhjet e fundit rajonale të zhvilluara në vendin fqinj ishin pozitive për opozitën.

Sipas tij, me marrjen e kontrollit në 6 krahina, opozita e majtë në Itali ka filluar të rimëkëmbet.

“Rezultati nuk tregon se gjithcka është në dorë të Berlusconi-t, 7 rajone i kontrollon ai, 6 opozita. Kjo tregon një rimarrje të vetes nga ana e qendrës së majtë”, ka pohuar Pitella.

Sipas tij, Berlusconi përfiton nga skandalet në të cilat ai është përfshirë dhe viktimizon veten e tij kur ndodhet në telashe me drejtësinë.

“Nuk mjafton që Berlusconi të ketë probleme me Kushtetutën, e majta po punon për të ardhur në pushtet. Sa më parë të ndërpriten cështjet e Berlusconi-t me gjyqësorin, aq më mirë do të ishte për të majtën”, është shprehur Pitella.

Megjithatë, ai ka pranuar se vetë e majta duhet të bëjë më shumë për të bërë për vete qytetarët italianë.

“20 vjet mesazhe Berlusconiane kanë lënë shenjë tek qytetarët italianë, por unë besoj se ka një mazhorancë italianësh që mund të gjejnë veten tek një krah tjetër politik. Gjërat në Itali janë keq, ka rritje të papunësisë, duhet një plan dhe italianët do vazhdojnë të votojnë Berlusconin për aq kohë sa ne nuk do të ofrojmë dicka më të mirë”, ka shtuar Pitella.

Top Channel