Energjia, ERE: Rritja e cmimit nga niveli i humbjeve

01/04/2010 20:10

Humbjet e energjisë në rrjet dhe humbjet nga arkëtimet kanë sjellë rritje të cmimeve të energjisë elektrike.

Bujar Nepravishta, drejtor i ERE, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2009 në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese, tha se për cdo 100 kilovat orë energji të hedhur në treg, paguhet vetëm për 50 kilovat orë.

“Humbjet më të mëdha dhe arkëtimet më të vogla ne i kemi pasur tek OSSH-ja, ato kanë qenë 49.34%. Gjithashtu, niveli i arkëtimeve prej 76.4% gjatë vitit 2009 janë një tregues i një eficence shumë të ulët të konsumit të energjisë elektrike”, ka pohuar Nepravishta.

Nepravishta tha se nese do të rekuperoheshin një pjesë e këtyre humbjeve, shqiptarët do të mund të paguanin energjinë elektrike me cmime më të ulëta.

Sipas Nepravishtës, as Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, tashmë i privatizuar, nuk po arrin të ulë numrin e abonentëve të cilët nuk paguajnë.

Ndërkohë, Nevpravishta, duke iu referuar tec-it të Vlorës, një burim i ri i energjisë në vend, tha se prodhimi i energjisë nga ky impiant është me kosto të lartë.

“Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për futjen e Shqipërisë në rrjedhën ndërkombëtare të gazit. Tec-i i Vlorës është i detyruar të punojë me naftë diesel me cmim të lartë”, ka saktësuar ai.

Sipas raportit, për vitin 2009 prodhimi i energjisë në vend ka qenë në nivele të larta, përkatësisht rreth 5,2 miliardë kilovat orë, nga të cilat 90 milionë janë siguruar nga sektori privat.

Top Channel