Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka pranuar propozimin e EULEX-it për rikthimin e gjykatësve kosovarë në veri të Kosovës.

Vendimi i marrë sot verifikon dyshimet e ekspertëve që misioni evropian në veri, përpos 2 gjyqtarëve shqiptarë dëshiron të kthejë edhe 2 gjyqtarë serbë të cilët në janar të këtij viti ishin emëruar nga presidenti serb, Boris Tadic.

Ekspertet kishin paralajmëruar rrezikun e një veprimi të tillë, i cili cënon ndjeshëm sovranitetin e Kosovës.

Jelena Krivokapic dhe Tomisllav Petrovic janë ata të cilët sipas kreut të Këshillit Gjyqësor Kosovar, Enver Peci janë propozuar nga EULEX-i.

Krivokapic dhe Petrovic u emëruan gjykatës në janar nga Tadic pasi kohë më parë hoqën dorë nga drejtësia kosovare duke iu bashkuar kështu atij të Serbisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është pajtuar që sa më shpejt në veri të kthehen gjykatës kosovarë, që do të thotë edhe ata serbë, mirëpo jo ata që i emëron dikush tjeter përpos presidentit të Kosovës, Fatmir Sjediu.

Sidoqoftë, EULEX nuk e pranon që ka propozuar emra konkretë për gjykatës të veriut. Misioni evropian thotë, përmes një komunikate, se vetëm ka paraqitur raportin e punës për gjykatat e veriut në Këshillin Gjyqësor të Kosovës e jo dicka më shumë.

Kjo situatë e re e krijuar vazhdon pengimin e kthimit të gjykatësve vendorë në veriun e pakontrolluar nga autoritetet e Kosovës.

Prishtina është shprehur qartë se pranon kthimin e gjykatësëve të cilët janë lojal ndaj Republikës së Kosovës, mirëpo të tillë është pothuajse e pamundshme të gjënden.

Serbët e propozuar për gjykatat e veriut kanë qenë vite më parë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, mirëpo ata u larguan në shenjë proteste pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Top Channel