Kuzhe: Garancia ime, loja e fortë

30/03/2010 13:45

Josip Kuzhe garanton se Shqipëria do të zhvillojë një lojë të fortë në eliminatoret e Euro 2012. Përfaqësuesja kuqezi ndodhet në Grupin D, së bashku me Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun, ndërsa objektivi është klasifikimi të paktën në vendin e katërt (vendi i tretë mbetet ëndrra në sirtar).

Duke vlerësuar atmosferën e mirë që ekziston brenda skuadrës, trajneri kroat deklaroi: “Në Shqipëri mbretëron një klimë e shkëlqyer futbolli, ndërsa unë jam një trajner i disponuar për të punuar mirë. Shpresoj që klima e mirë do të ndikojë në pozitivisht në paraqitjen e Kombëtares, në mënyrë që Shqipëria të jetë sa më serioze gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian. Gjithsesi, nuk kemi presion për të fituar grupin, apo për t’u renditur në vendin e dytë. I kam thënë vetes: nëse mendon se je aq trajner i mirë, bëj diçka. Po e përgatis skuadrën që të luajë fortë, sepse nuk ka vlerë vetëm fakti që dëshiron të punosh mirë, apo edhe qëndrimi miqësor ndaj futbollistëve. Për mendimin tim, loja e fortë është garancia e vetme për të arritur rezultate”.

Kuzhe ka analizuar edhe kundërshtarët e Shqipërisë, ku shprehu bindjen se grupi është i balancuar dhe gjithçka mund të ndodhë. “Kundërshtari më i vështirë padyshim që do të jetë Franca, një skuadër që pas Botërorit 2010 do të ndërrojë trajnerin. Megjithatë, në grupin tonë, secila skuadër mund ta mposhtë kundërshtarin që ka përballë… përveç Luksemburgut”, shtoi ai. Kualifikimet e përfaqësueses tonë në Euro 2012 nisin në Bukuresht kundër Rumanisë, ndërsa më pas vijnë përballjet me Luksemburgun dhe Bosnjën në Tiranë.

Top Channel