Integrimi, Chountis: Qendrueshmëria politike, e rëndësishme

30/03/2010 14:10

Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, zotin Nikolaos Chountis vlerësoi përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu besimin e plotë se vendi ynë do të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.

Në një takim me kreun e vendit Bamir Topi, Chountis theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë.

Duke folur për situatën në rajon, zoti Chountis u shpreh se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE i shërben jo vetëm vendeve të rajonit, por edhe përmbushjes së misionit të Bashkimit Evropian për rritjen dhe konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit të të gjithë Evropës.

Nga ana e tij, kreu shqiptar, Bamir Topi u shpreh i bindur për vullnetin për vazhdimin e reformave dhe arritjen e standardeve me synim përmbushjen e aspiratës së gjerë popullore për t’u integruar në gjirin e familjes evropiane.

Top Channel