
Protesta gjithëqytetare kundër qeverisë së Sali Berishës, përveç se ka rivënë në lëvizje aksionin politik për zgjedhje të parakohshme, ka nxitur krijimin rishtas të frontit opozitar.
E thyer pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit, e majta shqiptare po rimerr si taktikë kryesore në luftën për pushtet bashkimin si mënyra e vetme për të korrigjuar veten, pavarësisht se ky akt formal nuk jep shumë të dhëna për sa i përket asaj që quhet si formula e bashkëpunimit.
Lidhur me këtë çështje, socialdemokrati Skënder Gjinushi ka sqaruar për “Shqip” se në funksion të objektivit kryesor, që është rrëzimi i qeverisë aktuale, qëndron edhe nevoja e korrigjimit të gabimeve të mëparshme.
“Ndryshimi i sistemit aktual është i domosdoshëm, pse sistemi aktual, proporcional rajonal është i përshtatur keq. Pra ndryshimi ose përmirësimi i sistemit, për të shmangur ‘aksidentet’ është një nevojë e logjikshme”, deklaroi kreu i PSD-së.
Top Channel