Në kushtet kur “peshkarexha” financiare greke është duke marrë ujë nga shumë vrima dhe rrezikohet të fundoset, lundërtari (qeveria) nisi të mbyllë së pari një nga vrimat e barkës, të cilën ai vetë e kishte hapur, atë të pensioneve për homogjenët.
Kështu konsiderohet nga ekspertët financiarë në Greqi vendimi më i fundit për ndryshime në pagesat e pensioneve të dhëna për më shumë se 15 vjet me radhë nga qeveritë e majta e të djathta greke për pensionistët me kombësi greke në Shqipëri.
Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore pritej të prekte edhe disa mijëra qytetarë shqiptarë me kombësi greke dhe qindra mijëra të tjerë me kombësi shqiptare që kanë aplikuar dhe kanë përfituar këto “dhurata” duke ndryshuar kombësinë me vendim gjykate ose me dokumente të falsifikuara.
Sikurse dihet tashmë, një numër i madh shqiptarësh, ndonjëherë për arsye të pastra ekonomike dhe ndonjëherë edhe të inspiruar nga politika, kanë pranuar të regjistrojnë një origjinë të re etnike, në mënyrë që të përfitojnë nga skema suplementare e pensioneve e praktikuar nga Banka Bujqësore Greke një pension, i cili sipas rastit varion nga 250-480 euro në muaj.
Deri tani dhënia e këtyre pensioneve u reflektua me pasoja negative në disproporcionin dhe pabarazinë e nivelit të jetesës së moshës së tretë në zonat e rajonit jugor të Shqipërisë, ku gjendet numri më i madh i pensionistëve me kombësi greke dhe i atyre të konvertuar në grekë. Alarmi i parë që vjen pas krizës është se këtej e tutje vetëm njëri prej bashkëshortëve me origjinë greke do të mund të përfitojë pension.
Përveç kësaj, udhëzimi flet për shtimin e dokumenteve që duhen dorëzuar. “Në morinë e dokumenteve të deritanishme për përfitimin e pensionit, sikurse janë vërtetimi i kombësisë greke, pajisja me kartë të homogjenit, deklaratë e autoriteteve tatimore greke, nga aplikuesit e rinj dhe përfituesit e deritanishëm duhet të paraqiten edhe shumë dokumente të tjera që vërtetojnë se përfituesi është me banim të përhershëm në Greqi, se ka një banesë apo një kontratë qiraje, se paguan taksat, si dhe detyrimet e tjera që paguan një qytetar grek”, thotë pensionisti S. M. nga Jorgucati.
Mirëpo që të marrësh këto dokumente në Greqi është e vështirë, pasi shumica e këtyre pensionistëve jetojnë në Shqipëri dhe, sipas tij, “loja” për kufizimin e përfitimeve në fakt ka nisur përpara se të bëhej publike kriza, pasi, sipas tij, ka rreth një vit që janë bërë aplikime për këto pensione nga personat që kanë mbushur moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, por ata ndonëse kanë plotësuar edhe dokumentacionin shtesë të aplikimit, përsëri nuk kanë marrë një përgjigje pozitive për përfitimin e këtij pensioni.
Përfitimi i të ardhurave nga këto pensione suplementare përbëjnë një fluks të konsiderueshëm valute dhe mirëqenieje në zonën jugore të vendit: Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Himarë etj. Në kushtet e krizës financiare që ka kapur Greqinë, këto lloj pagesash suplementare janë vlerësuar nga ekspertët grekë të financave si “katastrofike”. Sipas të dhënave të një gazete greke që i referohet gazetës prestigjioze “Financial Times”, gjatë dekadës së fundit kostoja e punës për njësi prodhimi në ekonominë greke është rritur me 40 për qind dhe për këtë shkak nga ekspertët perëndimorë zgjidhja kryesore e krizës financiare në Greqi mund të vijë vetëm nga ulja e pagave, pensioneve dhe shpërblimeve suplementare që kapin shifra katastrofike.
Top Channel