Vijojnë ankesat e banorëve të fshatit Obot. Sipas tyre, rruga hyrëse për në fshat është amortizuar nga dy përmbytjet e njëpasnjëshme të këtij fillimviti, ndërkohë që grupet e verifikimeve nuk e kanë regjistruar në dëmet që ka pësuar zona.
Pak javë më parë, në fshatin Obot nuk mund të hyje për shkak të nivelit të ujit në rrugën hyrëse të fshatit dhe kalimi mund të bëhej vetëm me varkë.
Tashmë që uji është sprapsur, sërish e ke të vështirë të hysh në Obot, jo më prej ujit, por për faktin se disa segmente të rrugës janë të vështira për t’u kaluar.
Rruga ka pësuar devijim dhe çarje të thellë të asfaltit dhe për makinat e ulëta kalimi është i vështirë.
Ndërsa ata që udhëtojnë me motor të vegjël u duhet që të zbresin dhe të ecin një copë rrugë. Por shqetësim për banorët e Obotit është fakti se rruga është thuajse e pakalueshme dhe nuk është evidentuar nga grupet e verifikimit të dëmeve.
Një nga banorët e zonës, Lush Kola, shprehet se “rruga ka vetëm një vit që është ndërtuar, por tani, pas përmbytjes është katandisur në mënyrë të atillë që të duket sikur është bombarduar. Jeta jonë është e lidhur me këtë rrugë, pasi nuk kemi mënyrë tjetër lidhjeje me pjesën tjetër të vendit. Nga sa kemi informacion, kjo rrugë nuk është regjistruar si e dëmtuar. Kështu që nuk do të jepen fonde për t’u riparuar”.
Lidhur me këtë shqetësim, drejtues të Qarkut të Shkodrës shprehen: “Rruga e Obotit është prioritet i Qarkut të Shkodrës dhe është bërë një projekt për rikonstruksionin e saj. Gjysma e fondeve do të jepen nga qarku dhe gjysma tjetër nga donatorë që shpresojmë të na mbështesin”.
Top Channel