Pothuajse të gjtha mediat televizive dhe gazetat e fundjavës në Greqi kanë transmetuar dhe publikuar reagimet për britmat e urrejtjes në fundin e paradës së 25 marsit nga një togë ushtarake që i përkiste një brigade kufitare të marinës greke.
“Është pezulluar nga detyra togeri i misioneve nënujore të marinës detare, pas reagimeve të krijuara nga thirrjet raciste të marinsave në paradën e 25 marsit”, njofton televizioni grek “Mega”.
Përveç deklaratës për shtyp nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit kanalet greke kanë transmetuar edhe qëndrimin e prerë të numrit dy të kësaj ministrie, Spiro Vujas nga qyteti i Selanikut.
“Është e papranueshme ashtu siç theksoi edhe vetë ministri. Përveç urdhërit për një hetim, është kryer edhe pezullimi nga detyra e oficerit në fjalë. Unë besoj se këta persona nuk kanë vend në trupën e marinës detare e cila po ndryshon e po organizohet në mënyrë të ndryshme nga këto sjellje”, deklaroi zv/ministri Vujas.
Koret raciste janë dënuar edhe prej shtypit vendas. Gazetat kanë hapur faqet e tyre me tituj si “Parada e turpit”, “Pezullim nga detyra togerit, hetim 36 marinsave” etj.
Ndërkaq akti racist u dënua edhe prej partisë opozitare “Demokracia e Re”, duke cilësuar se sjellja e marinsave nuk përfaqëson as historinë dhe as moralin e trupave të marinës detare.
Ditën e hënë lëvizja “Të bashkuar ndaj kërcënimit fashist” organizon një protestë kundër britmave të urrejtjes, shfaqur në koret raciste të ushtrisë greke, të cilat siç thuhet edhe në faqen e internetit të kësaj organizate të kujtojnë diktaturën e Metaksait dhe parrullat e tij shoviniste.
Top Channel