Të dielën, më 28 mars, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama sëbashku me përfaqësuesit e firmës kuvajtiane “Mak & Sons Grup” dhe studios fituese inauguroi fillimin e punimeve në sheshin “Skenderbej” të cilat do të zgjasin 9 muaj dhe me një kosto prej 4.300.000 eurosh. (UPDATE)
Kreu i Bashkisë së Tiranës e cilësoi sheshin e të ardhmes si nje oaz paqeje dhe qetësie për kryeqytetasit, të cilëve do t’u duhet që për disa kohë të përballen me problemet që do të pësojë qarkullimi rrugor.
“Ky është projekti më i madh dhe projekti me i ndërlikuar që bt ndërmerr të realizojë pas një ecurie shumë të gjatë për të ardhur këtu. Projekti fitues ka ngjallur interes në qarqet e arkitekturës ndërkombëtare”, tha Rama.
Një orë pas inaugurimit të fillimit të punimeve, ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka deklaruar në një konferencë për shtyp se qeveria do të ndalojë vijimin e punimeve në shesh pa kaluar më parë projektin në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës.
Sipas Olldashit ky projekt ka deviacione, dhe favorizon njerëz të afërt me kryetarin e Bashkisë së Tiranes.
“Dyshimet ndaj planit francez të thella dhe për më keq janë tërësisht klienteliste nëse I refereoheni hartës të cilën ne e kemi në dispozicion jozyrtarisht, bëhet fjalë për disa ndryshime që lidhen ngushtë me disa interesa të njerëzve të afërt të zotit Rama, përfshirë hotelet e Koços dhe të Dashit. Nuk kemi ndërmend të lejojmë këtë plan të pamiratuar, të përdoren fonde nga qeveria e Shqipërisë të ndërhyjnë në sheshin Skënderbej që lidhet me interesat e hoteleve të Koços dhe të Dashit. E ftoj zotin Rama të dërgojë planin për miratim dhe shqyrtim sepse është në kundërshtim me ligjin për urbanistikën edhe me vendimin 180 të Këshillit të Ministrave”, deklaroi ministri Olldashi.
Cili është projekti i Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” dhe si do të vijojnë punimet aty? Rama deklaroi se është shume i rëndësishëm përfundimi i unazës së vogël dhe shpronësimi i godinës së Insigut. Por deri atëherë, specialistët dhe teknikët sqarojnë se ku do
të përqëndrohen punimet gjatë ditëve në vijim.
Projekti për sheshin “Skënderbej” ka disa hapa. Në fazën e parë të projektit është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen, ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri “Skënderbej”.
Sipas specialistëve do të punohet për ndërtimin e një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skenderbeut, e projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit në të cilën do të instalohen rezervuaret e ujit teknologjik dhe atij për vaditje, si dhe pompat dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvaneve të sheshit të ri.
Top Channel