Meta dënon incidentin me ushtarët greke

27/03/2010 09:25

Zëdhënesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi u njoh permes burimeve mediatike me aktin e rëndë të datës 25 mars, ku gjatë një parade zyrtare me rastin e festës së Republikës së Greqisë, disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, ka deklaruar se zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e dënon incidentin e ushtarëve grekë dhe e konsideron atë një akt skandaloz dhe të dënueshëm.

Zoti Ilir Meta, nënvizon zëdhënësi, insiston në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe thekson se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë, e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, bën të ditur zëdhënësi i MPJ, vlerëson gatishmërinë e autoriteteve greke për t`u distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për t`u dhënë autorëve ndëshkimin e merituar, jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

Top Channel