Vllaznia akuzon: Gjyqtarët, gangrenë

26/03/2010 11:05

Pas humbjes 1-0 në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, kundër Teutës, Vllaznia proteston kundër gjyqtarëve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, klubi shkodran kërkon nga FSHF-ja që të ndërhyjë për të zgjidhur problemin e arbitrimit.

“Klubi i futbollit, Vllaznia dëshiron t’i tërheqë edhe njëherë vëmendjen federatës për problemin e gjyqtarëve, sepse ata po kthehen në një gangrenë për skuadrën tonë nga ndeshja në ndeshje”, citohej në qëndrimin e drejtuesve të klubit kuqeblu.

Pretendimet lidhen me kartonët e kuq që Mrvaljeviç dhe Feniks morën të mërkurën, duke i cilësuar të nxituar nga gjyqtari Kridens Meta. “Ngremë zërin, sepse pas rastit me Laçin në kampionat, ku na u mohua një penallti, sulmet e gjyqtarëve kundër Vllaznisë po vazhdojnë. Kontestojmë kartonin e kuq për Mrvaljeviç: ndëshkimi është i pakuptimtë, pasi lojtari ndërhyri ndaj një kundërshtari në luftën në ajër dhe maksimalisht duhet të jepej vetëm karton i verdhë. Më pas, ai u shemb në tokë pas goditjes me kokë nga lojtari i Teutës dhe në mënyrë të pakuptimtë arbitri e largoi nga loja. Për kartonin e kuq të Feniks, lojtari gaboi, por ai nuk donte të prekte gjyqtarin me dorë. Kontakti ndodhi për inerci, sepse gjatë protestës arbitri ndaloi vrapin”, theksonte klubi shkodran.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta