
Shqipëria importoi 230 milionë euro mallra gjatë muajit shkurt, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2007, bëhet e ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme që u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë.
Në shkurt 2009 qenë importuar 258 milionë euro mallra, ndërsa në shkurt 2008 qenë importuar 266 milionë euro. Rënia e importeve ka filluar që nga viti i kaluar, por ritmi i rënies duket se po rritet.
Për muajt janar dhe shkurt të këtij viti, u importuan gjithsej 446 milionë euro mallra me rënie 7 për qind në krahasim me vitin 2009 dhe rënie 14 për qind në krahasim me vitin 2008.
Rënia e importeve pasqyron nivelin e kërkesës së brendshme në ekonominë shqiptare dhe konsiderohet si shenjë e varfërimit të përgjithshëm të popullatës.
Por nga ana tjetër, rënia e importeve në rastin e Shqipërisë paralajmëron edhe për krizë në financat publike, pasi qeveria shqiptare siguron 70 për qind të të ardhurave të veta nga tatimi i mallrave të importuara.
Top Channel