PS-LSI, të ndara në takimin e PSE-së

26/03/2010 08:25

Vështrimi i të majtës shqiptare mbi krizën politike në vend mund të transferojë paradoksin e përplasjes së saj edhe në tryezat e socialistëve europianë.

Kështu, në datat 30-31 mars, në Sarajevë pritet të zhvillohet një aktivitet i gjerë politik i partive socialiste europiane që nga Shqipëria do të ketë si të ftuar ndër të tjera drejtuesit e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Është e pritshme që debatet dhe fërkimet që ndajnë tanimë këto dy parti politike të së majtës shqiptare të projektohen në diskutimet e këtij aktiviteti, qoftë edhe pse përfaqësues të PSE në Parlamentin Europian janë angazhuar në zgjidhjen e krizës shqiptare.

Nga ana tjetër, është vetë tema e aktivitetit në fjalë “E majta dhe rajoni i Ballkanit”, që bart mundësi potenciale për një riprodhim të ndasive shqiptare në Bosnjë.

Në kërkim të një zgjidhjeje të kënaqshme, paradoksalisht aleatët e dikurshëm janë vënë së fundmi në një garë për të fituar përkrahjen ndërkombëtare edhe të socialistëve europianë, si një faktor me peshë në arenën ndërkombëtare.

Top Channel