Kriza, largohen investitorët e huaj

26/03/2010 08:55

Shqipëria pati një rezultat negativ te zëri i investimeve të huaja direkte gjatë muajit dhjetor, gjë që ndodh për herë të parë qëkur statistika të sakta filluan të përpilohen.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në dhjetor 2009, në vendin tonë hynë 1.94 milionë euro në formë investimesh direkte të huaja dhe dolën 2.24 milionë euro, me një bilanc neto prej minus 0.3 milionë.

Gjatë dy viteve të fundit, në vendin tonë kanë hyrë mesatarisht 55 milionë euro investime të huaja, ndërsa kanë dalë rreth 2 milionë euro në muaj.

Deficiti tek investimet e huaja direkte është shkaktuar nga mungesa e interesimit të të huajve për ekonominë tonë, si dhe nga largimi i fitimeve që kompanitë e huaja kanë realizuar në vitet paraardhëse.

Gjatë vitit të kaluar, në vendin tonë hynë 664 milionë euro në formën e investimeve, me rritje 7 për qind kundrejt një viti më parë, kur patën ardhur 620 milionë euro.

Por një pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve erdhën nga shitja e aseteve publike si paketa minoritare e qeverisë tek AMC apo privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Top Channel